Vizita e presidentit rus në Mongoli, e para në një shtet anëtarë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pas lëshimit të urdhër arrestit për Putin, ka sjellë edhe reagimin e Bashkimit Europian.
Duke qenë se ky shtet, i njohur për marrëdhëniet historike me Rusinë dhe Kinën, nuk e arrestoj Vladimir Putin, por përkundrazi e priti me të gjitha nderimet e larta shtetërore, Brukseli është shprehur i zhgënjyer, përmes një komunikate me shkrim.
“BE-ja shpreh keqardhje që Mongolia, një vend anëtar i Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk e përfilli detyrimin e vet sipas këtij statuti për ta zbatuar fletarrestimin.”
Putini kërkohet për dëbimin dhe dërgimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga pjesët e pushtuara të Ukrainës për në Rusi, që nga koha kur urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022.
Po vetë qeveria mongole e ka justifikuar këtë zhvillim me varësinë ekonomike ndaj Rusisë, në një prononcim të dhënë për Politico.
“Mongolia importon 95 për qind të produkteve të saj të naftës dhe më shumë se 20 për qind të energjisë elektrike nga fqinjët e saj të afërt, dhe këto furnizime janë jetike për mbijetesën e vendit.
Mongolia ka mbajtur gjithmonë një politikë neutraliteti në të gjitha marrëdhëniet e saj diplomatike, siç dëshmohet nga deklaratat tona zyrtare të deritanishme.”, thuhej në deklaratën e qeverisë mongole.
Mes Putin dhe presidentit mongol u nënshkruan marrëveshje për furnizimet me karburant të aviacionit për kryeqytetin dhe u ra dakord për projektet që do t’i lidhin më mirë këto dy vendet përmes hekurudhave.



