Kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, i cilësoi qesharake situatat e krijuara nga opozita dhe foli për “revolucion karrigesh”.
Sa i takon miratimit të buxhetit 2024 në seancën e sotme, për vetëm 8 minuta, Çuçi tha se nuk u miratua për pak minuta, por pas një diskutimi të gjatë në komisione.
Revolucioni i karrigeve, është kthyer komplet në qesharake kjo histori.
Buxheti nuk është miratuar në 8 minuta por pas një diskutimi shumë të gjatë që ka pasur në komisione.
Ne nuk i merrnim dot me zor që të hynin në komisione.
Janë konsultuar të gjitha grupet e interesit, mbledhjet kanë qenë të hapura. Diskutimet kanë qenë shteruese.
Aty debatohet, aty hidhen alternativat. Seancat plenare bëhen për të miratuar.
Pa diskutim ndodhi prej anomalisë së shkaktuar nga opozita.
Ne jemi në institucione, ata dhunojnë dhe prishin. Duhet që ata të ulin flakadanët që të flasim, nuk mund t’i marrim dot me dhunë ti ulim në tavolinë.
Kriza që ka ndodhur në Partinë Demokratike fatkeqësisht është shumë e thellë, dhe padiskutim nuk jemi shkaktarët e kësaj krize, por mos prisni që Partia Socialiste të jetë instrumenti që mund ta zgjidhë këtë.
Rregullorja përcakton rregulla për të marrë masa për atë që prish, dhunon apo pengon zhvillimin e një seance parlamentare.
Dhe e keni parë që besoj ne jemi shumë tolerantë në këtë pikë me opozitën.



