Emisioni "Xhadat" në MCN TV, ka vijuar mbi tabelën e ndalimqëndrimit në një rrugicë me dalje në rrugën "Zonja Çurre", për të cilën banorët pretendojnë se është vendosur në kundërshtim me standardet e sinjalistikës rrugore dhe ka sjellë gjobitjen e dhjetëra drejtuesve të mjeteve.
Denoncimi u bë nga instruktori i autoshkollës, Elis Muça, i cili, bazuar në eksperiencën e tij profesionale, ngriti dyshime se tabela nuk ishte vendosur sipas rregullave të sinjalistikës. Sipas tij, ajo nuk është e dukshme nga rruga kryesore, është vendosur në karrexhatë dhe jo në trotuar si tabelat e tjera të zonës, ndërsa gjobat vendosen rregullisht ndaj drejtuesve të mjeteve që parkojnë në atë segment.
Pas publikimit të pjesës së parë të investigimit, gazetari Ersid Karaj iu drejtua Bashkisë së Tiranës me një kërkesë zyrtare për informacion. Megjithëse kërkesa u depozitua më 12 maj 2026, përgjigjja u vonua për javë të tëra, ndërsa gjatë kësaj kohe gazetari iu drejtua disa herë institucionit për të kërkuar sqarime.
Gjatë komunikimeve me Bashkinë, punonjësit e institucionit deklaruan se tre drejtori ishin ngarkuar për të verifikuar rastin, ndërsa zëdhënësi për mediat siguroi se verifikimet ishin kryer në terren. Megjithatë, gjatë ditëve kur ekipi i "Xhadat" monitoroi situatën në vendngjarje, nuk u konstatua asnjë ndërhyrje apo verifikim nga strukturat e Bashkisë.
Në përgjigjen zyrtare, Bashkia Tiranë shprehet se vendosja e sinjalistikës është pjesë e një projekti të miratuar dhe argumenton se ndalimqëndrimi është vendosur për të garantuar sigurinë e këmbësorëve dhe aksesin e mjeteve të emergjencës.
Megjithatë, përgjigjja nuk adreson disa prej pyetjeve kryesore të ngritura nga investigimi. Bashkia nuk sqaron se cili autoritet ka marrë vendimin përfundimtar për vendosjen e tabelës dhe kush mban përgjegjësi administrative për këtë vendimmarrje. Po ashtu, nuk jep një përgjigje konkrete nëse tabela është vendosur në përputhje me standardet e sinjalistikës rrugore, çështje që përbën edhe thelbin e denoncimit të bërë nga qytetari.
Një tjetër pyetje që mbetet pa përgjigje lidhet me përgjegjësinë institucionale në rast se sinjalistika rezulton e vendosur në kundërshtim me rregullat. Në vend të kësaj, Bashkia kufizohet duke sqaruar se kontrolli i parkimeve dhe vendosja e gjobave është kompetencë e Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe Policisë Bashkiake, pa bërë të ditur nëse tabela do të rishikohet apo do të hiqet nëse evidentohen shkelje.
Gjatë investigimit, ekipi i "Xhadat" dokumentoi disa raste të vendosjes së gjobave në këtë segment rrugor, ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë një verifikim të plotë të ligjshmërisë së sinjalistikës dhe një përgjigje të qartë mbi mënyrën se si është marrë vendimi për vendosjen e saj.



