Aktivisti i organizatës për mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri, PPNEA, Zydion Vorpsi, për depozitimin në Kuvend të 140 kopjeve të Konventës së Bernës, kundër ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, thotë se kërkesa zyrtare e Konventës së Bernës ka ardhur që në shtator në qeverinë shqiptare, por se që atëherë nuk ka pasur reagim dhe implementim.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, Vorpsi tha se kërkesa ka qenë e qartë që të ndalohen punimet dhe se ekspertët e Bashkimit Europian e kanë shqyrtuar çështjen, kanë ardhur dhe kanë bërë dhe vizitë dhe kanë thënë se ky aeroport duhet të pezullojë ndërtimin, pasi ndikimi në mjedis nuk është parë tamam.
Sipas tij, pas kaq shumë muajsh nuk ka asnjë reagim, por se ka vetëm gënjeshtra publike si nga ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro, për të cilën u shpreh se ka thënë se nuk e ka kërkuar Berna.
Kushdo që të shkojë sot dhe nesër do të shohë që punimet vazhdojnë pa bërë asgjë, kërkojmë që deputetët nga të dyja krahët t’i kushtojnë vëmendjen e duhur.
Lidhet edhe me aspiratën tonë për tu angazhuar në BE dhe shpërfillja ndaj kësaj kërkese është shpërfillje ndaj aspiratës europiane.
Kur flasim për konventat ndërkombëtare, ato prevalojnë mbi ligjet shqiptare.
Përfaqësuesit tanë në parlament duhet t’i kushtojnë rëndësi kësaj, shpërfillet ky vendim sikur të ishte një letër pa vlerë, por ka pasur një proces që ka zgjatur mbi një vit për të ardhur në atë kërkesë që bazohet në shumë prova, studime dhe fakte.
Pasoja e parë nëse qeveria nuk e merr në konsideratë është ajo që ne na përsëritet çdo vit në raportin e Komisionit Europuian, aeroporti i Vlorës është përmendur specifikisht me emër dhe është thënë se Shqipëria po shkel ligjet kombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Nëse nesër do hapim negociatat, kapitulli i mjedisit që është një kusht i panegociueshëm, zona në fjalë Vlorë-Nartë është pjesë e zonave që në momentin që futesh në BE, hyjnë në zonat e mbrojtjes europiane.
Ne po bëjmë komplet të kundërtën, kjo është pasoja e parë e drejtpërdrejtë që rrezikon aspiratën për tu integruar në BE.
Nuk ka pasoja direkte mbi zyrtarët apo deputetët e parlamentit, por gjykatat duhet të marrin parasysh vendimin e konventës.
Gjithë propaganda për ndërtimin e aeroportit të Vlorës është ngritur mbi gënjeshtra të mëdha, pasi nuk ngrihet mbi aeroportin e vjetër të Vlorës, i cili është brenda qytetit të Vlorës, ndërkohë që kjo ka qenë një fushë stërvitore ushtarake, një pistë, vetëm për studentët e shkollës së aviacionit dhe nuk ka pasur kurrë aviacion civil.
Ajo ka qenë pjesë e zonës së mbrojtur, por ne po e shkatërrojmë atë zonë, do vijnë rrugët e zgjeruar, masakër që i bëhet mjedisit përreth.
Po dëmtohet fauna për peshqit, nga ana tjetër do shtohet infrastruktura energjetike, do ketë më shumë trafik të rënduar, nuk do kemi më një zonë natyrore.
Nëse bën një autostradë në zonë të mbrojtur dhe aty fillojnë të zbresin avionë, avionët do fluturojnë mbi zonën e mbrojtur.
Janë kujdesur që të hapin rrugën ligjore dhe për sa kohë që rruga ligjore nuk ishte e hapur, punimet vazhdonin pa një leje ndërtimi.
Sa i takon pasojave të ndërtimit të aeroportit në habitatin e shpendëve që migrojnë në zonë, deklaroi se pjesa shtegtare janë miliona shpendë kalojnë në zonë për në zonën shtegtare të Afrikës, të cilat ose ulen e pushojnë, ose folezojnë.
Kjo është pjesë e konventave se pasuria natyrore e asaj zone nuk i takon vetëm Shqipërisë por edhe vendeve të tjera që inventarizohet dhe përdoret dhe në vendet e tjera.
Janë breshkat e detit në bregun e detit, nga ana e gjitarëve, zona është shumë e rëndësishme për çakallin, lundërzën, pelikanin kaçurrel që është i rrezikuar për zhdukje.
Është edhe një nga zonat me popullatën më të lartë të flamingove. Gjithashtu laguna Vjosë-Nartë numëron mbi 200 lloje shpendësh.



