Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i është drejtuar deputetëve të këtij Kuvendi duke mbajtur fjalimin e plotë në gjuhën shqipe, vetëm një ditë pasi një gjykatë e këtij shteti nuk e dënoi termin ofendues për shqiptar “šiptari”, të përdorur nga ministri serb i mbrojtjes Aleksander Vulin.
Në fjalimin e tij, të publikuar në Facebook, Kamberi ka shkruar se – për shtetin serb – më nuk është “albanac”, por ‘šiptar’.
“Tashmë me vendim të gjykatës së këtij shteti, prej sot unë qenkam ‘šiptar’ dhe jo ‘albanac’. Pra, një ditë është zgjuar nga gjumi Aleksander Vulin dhe ka vendosur se kush jam unë dhe si cilësohet kombësia ime, e këtë e ka legalizuar gjykata e shtetit”, ka shkruar ai.
Ai e ka thanë se tashmë Gjykata i ka dhënë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mos durimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.
Kamberi ka pyetur liderët botërorë se a është kjo “Serbia pro-evropiane”.
“Zonja Merkel, z.Macron, z.Borrel, z.Lajcak, znj Vonder Leyen, a është kjo Serbia e juaj pro-evropiane? Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur albanac”.
Sipas tij, nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuçiçit po kthehet në kohën e Aleksander Rankoviqit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit ‘šiptar’”.
Të hënën, Kamberi njoftoi se Gjykata e Lartë në Beograd kishte refuzuar të shpallte fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Për këtë gjykatë, sipas Kamberit, nuk vlejti as vendimi i Gjykatës së Apelit, që më 2018 kishte sanksionuar përdorimin e këtij termi si gjuhë të urrejtjes.



