
Protesta e fermerëve polakë ka arritur kulmin e saj pasi qindra protestues marshuan në rrugët e Varshaves duke e klasifikuar këtë tubim si më të madhin të mbajtur deri më tani.
Fermerët polakë prej javësh kundërshtojnë importet pa taksa të Ukrainës dhe politikat bujqësore të Bashkimit Evropian. Gjatë tubimit ata dogjën edhe një sërë gomash.
Pas këtyre akteve rreth 10 mijë protestues marshuan drejt zyrës së kryeministrit të sapozgjedhur Donald Tusk.
Ata bënë thirrje për tërheqjen e vendit të tyre nga Marrëveshja e Gjelbër e bllokut si dhe për ndalimin e produkteve ukrainase me cilësi të ulët që po dëmtojnë prodhimet e tyre.
Përveç protestave në Poloni edhe në Uells qindra fermerë u mblodhën në një tubim pasi kundërshtojnë skemën bujqësore të propozuar nga qeveria dhe rregullat strikte të kontrollit të plehut të kafshëve.
Si pasojë e tubimit protestuesit bllokuan edhe një pjesë të rrugëve kryesore me rreth 100 traktorë. Fermerët kërkuan me forcë të takohen me ministrin e tyre të bujqësisë që sipas tyre nuk ka bërë mjaftueshëm për t’ju ardhur në ndihmë.
Protestat e fermerëve kanë nisur prej javësh në disa nga shtetet kryesore evropiane ku në fokus është kostoja e prodhimit dhe çmimi i shitjes së produkteve të tyre që nuk janë në proporcion me njera tjetrën.



