31-vjeçari Gerti Shehu i dyshuar për goditjen me grusht ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha në protestën e 6 dhjetorit, do të qëndrojë pas hekurave në vijim të hetimeve.
I pandehuri ka marrë si avokat Elvis Lilën, i cili në sallën e improvizuar te Spitali i Traumës kërkoi një masë më të butë sigurie, si shtrimi i detyrueshëm spital.
Por kjo kërkesë e tij u rrëzua, duke u pranuar kërkesa e prokurorit “arrest me burg”.
Gerti Shehu ndodhet në Spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve si pasojë e goditjeve të pësuara. Gjendja shëndetësore e ka pamundësuar ardhjen në gjykatë dhe ai ka qenë kontradiktor në deklarimet e tij, ku sipas avokatit nuk e ka pasur qëllim të keq dhe nuk e ka ditur se do godiste zotin Berisha.
Siç raportoi gazetari i MCN Arsen Rusta, hetimet e Policisë së Shtetit e kanë përjashtuar nxitjen nga persona të tretë që mund ta kenë shtyrë të kryejë një veprim të tillë.
Ndërkohë që pritet ekspertiza mjeko-ligjore, për të parë nëse është i aftë mendërisht.
Avokati ka deklaruar se klienti i tij kurohej dhe se akti i ekspertimit të shëndetit mendor do të jetë përcaktues.



