
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 27 të pandehur të dosjes “REVANSHI”, të akuzuar për një sërë atentatesh kriminale dhe veprimtari të trafikut të drogës. Mes të pandehurve është edhe ish-deputeti Arben Ndoka, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga individë të njohur të botës së krimit të organizuar.
Gazetari Sokol Bregu, në një prononcim për edicionin e lajmeve në MCN TV, deklaroi se kjo është dosja e parë që SPAK nxjerr pas hulumtimit të komunikimeve të grupeve kriminale në platformat Sky ECC dhe EncroChat.
Sipas Bregut, në këtë dosje vetëm dy episode përbëjnë tentativa reale për vrasje, ndërsa pjesa tjetër janë diskutime dhe plane mes grupeve kriminale për eliminimin e kundërshtarëve të tyre.
Këta konsiderohen si krerët kryesorë të organizatave kriminale në vend, të paktën sipas vlerësimeve të bëra deri tani.
E gjithë dosja bazohet në informacionet e mbledhura nga komunikimet e sekuestruara në këto dy platforma. Nuk kemi të bëjmë me të penduar të drejtësisë apo hetime proaktive në terren; gjithçka buron nga bisedat e tyre të koduara.
Në dosje flitet për organizata kriminale, plane vrasjesh dhe tentativa sulmesh, por nuk ka asnjë vrasje të konsumuar. Nga të gjithë episodet e përfshira, vetëm dy janë tentativa konkrete, një atentat ndaj Durim Bamit dhe një të afërmi të tij, si dhe një shpërthim i fuqishëm pranë zonës së Nesharakut në Tiranë, në pronësi të shtetasit Gjini.
Pjesa tjetër e materialit hetimor përbëhet nga komunikime, plane dhe diskutime për eliminime të mundshme.
Bregu theksoi se procesi gjyqësor pritet të jetë shumë i fortë, pasi për herë të parë një dosje mbështetet thuajse tërësisht në zbërthimin e Sky ECC dhe EncroChat.
Ne njëfarë mënyrë do të jete një proces është shume i fortë midis prokuroreve, gjykatësve, avokateve, sepse për herë të parë bëhet fjalë vetëm për një zbardhje Sky ECC dhe EncroChat, ndryshe nga çështjet e mëparshme që kishin edhe dëshmitarë të penduar apo prova të tjera direkte.
Kjo dosje është referuar për herë të parë tre vite më parë, në një kohë kur ende nuk ishte zhdukur Ervis Martinaj.



