
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme takim elektoral me anëtarët e Partisë Socialiste në Fushë-Krujë. Ndërsa u ndal të tërmeti dhe dëmet e shkaktuara në Thumanë dhe Bubq, Rama tha se falë këmbënguljes dhe forcës së karakterit këto sot do të kenë një lagje të re të transformuar dhe se ata fëmijë që do të rriten në ato logje nuk do t’i kenë më këpucët me baltë falë rindërtimit që po i transformon këto zona.
“Në Thumanë po rimerr jetë shëmbëlltyra e zemrës tonë. Por edhe në Bubq po ndërtohet një lagje e re ku fëmijët do të rriten krejt ndryshe nga mënyra se si u rritën prindërit e tyre. Deri dje para tërmetit ato familje dhe ato fëmijë ishin më mbrapa se të tjerët, por sot ata fëmijë janë përpara shumë fëmijëve të tjerë. Ata fëmijë sot do të dalin nga shtëpia dhe nuk do të kenë më këpucët me baltë kur të shkojnë në shkollë”, tha Rama.
Më tej ai theksoi se pas një periudhe të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët ka dritë, në këtë takim elektoral.
“Ju i ndjetë më shumë se të tjerët lëkundjet e frikshme të tërmetit. Për ditë të tëra ju i ndjetë pasiguritë. Por pavarësisht vështirësive në rezistuam. Ne provuam që përmasa e njeriut nuk matet në ditë të mira, por matet aty ku toka dridhet nën këmbë dhe kur ndeshet me forcën e një kundërshtie të madhe. Aty ne provuam se çfarë karakteri ne kemi dhe se çfarë mund të bëjmë së bashku përballë çdo të keqeje”, shtoi ai.
Më tej Rama ka ironizuar të djathtët fanatik në Krujë, ku thotë se edhe pse PD nuk u bëri asgjë madje i la pa ujë dhe mbuluar me plehra, ata vazhdojnë të thonë ende me mburrje, 'jam i djathtë'.
"Kruja është aty sot shumë më e mirë se dje, se kam fiksim nga ata krutanë që thonë janë i djathtë, i djathtë, e thonë në një mënyrë sa nuk kuptohet nëse është i djathtë apo djathë. Ku ishin të djathtët kur ne pastronim plehrat që ju kishin mbuluar atje në të gjitha rrugët. Vazhdojnë luftojnë komunizmin që ka vdekur para 30 vitesh. Uji që për 100 vite meazallah se vinte, se të djathtët që i qeverisnin thoshin nuk e çonin dot se nuk e hidhnin dot përpjetë deri atje dhe u jepnin dy gishtat, po i la me dy gishta në gojë në vend të gotës së ujit", tha Rama.



