
Sulmohet me molotov, patrulla e EULEX në Veri të Kosovës. Lajmi konfirmohet nga vetë EULEX me anë të një njoftimi për shtyp, ku fatmirësisht thuhet se nuk ka të lënduar.
Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares.
Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.
Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.
EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet.
Në mbyllje të qëndrimit apelohen të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëhet thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i nxjerrin drejtësisë.
Tensionet në Veri të Kosovës nisën kur pala serbe përdori makineri të rënda duke krijuar barrikada, të cilat u shtuan gjatë natës. Po ashtu forcat serbe kanë ngritur edhe çadra për të qëndruar dhe bllokuar rrugët.
Situata u agravua pasi gjatë së shtunës u arrestua ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, ku siç njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, prangosja erdhi nën dyshimin se ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
Gjatë pasdites së të shtunës, Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në Veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e Pantiç.



