Gjykata e Pogradecit ka lënë në burg tre zyrtarët e Shoqatës së Menaxhim Peshkimit në këtë qytet, nën akuzën se detyronin peshkatarët të kryenin peshkim të paligjshëm të koranit për përfitime personale.
Në burg deri në përfundim të hetimeve janë lënë kryetari i Shoqatës së Peshkimit Pogradec, Adriatik Dokollari, 49 vjeç dhe dy punonjësit e shoqatës, Mariel Durollari, 47 vjeç, dhe Endri Pera, 43 vjeç. Të 3 këta zyrtarë u arrestuan 3 ditë më parë në Pogradec në kuadër të operacionit të koduar “Korani”.
Tre zyrtarët e shoqatës së Peshkimit Pogradec akuzohen se shpërdoruan detyrën me qëllim përfitimin personal, duke detyruar peshkatarët të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran dhe më pas këtë sasi e tregtonin në lokalet e qytetit të Pogradecit, për të siguruar përfitime personale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre u gjetën një sasi peshku e llojit koran dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mbi ta rëndon akuza e shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, shpërdorim detyre si dhe tregtimi i specieve të mbrojtura të faunës dhe florës së egër.



