
Pas publikimit të dokumenteve të reja nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, drejtësia franceze ka vendosur të mos qëndrojë duarkryq. Prokuroria e Parisit njoftoi zyrtarisht ngritjen e një njësie speciale magjistratësh për të analizuar dosjet e publikuara nga SHBA, sidomos çdo emër francez të përmendur në Librin e Zi të Epstein.
Edhe pse Jean-Luc Brunel, bashkëpunëtori i ngushtë i Epstein, u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2022, prokurorët po rihapin dosjet e tij. Qëllimi është gjetja e bashkëpunëtorëve të tjerë në rrjetin e rekrutimit të vajzave të mitura.
Për herë të parë, prokuroria ka konfirmuar se po heton tre raste specifike që kanë dalë nga të dhënat e fundit:
Fabrice Aidan, një diplomat i lartë francez, emri i të cilit figuron në dokumente dhe për të cilin Ministria e Jashtme ka kërkuar hetim të plotë.
Daniel Siad, rekrutues modelesh, i akuzuar nga një grua suedeze për akte seksuale dhe dhunë të kryer në Francë në vitet '90 dhe Frederic Chaslin, dirigjenti i njohur i cili gjithashtu akuzohet për ngacmim seksual në vitin 2016.
Goditja më e rëndë politike deri më tani është dorëheqja e Jack Lang, ish-ministrit legjendar të Kulturës.
Emri i Lang u shfaq në statutet e një kompanie offshore të krijuar nga Epstein në vitin 2016. Ndonëse ai mohon çdo lidhje korruptive, Prokuroria Financiare ka hapur hetim për mashtrim të rënduar tatimor dhe pastrim parash, gjë që solli largimin e tij të menjëhershëm nga drejtimi i Institutit të Botës Arabe.
Skuadra e re që do të ngrihet do të punojë në bashkëpunim me njësinë e krimeve financiare dhe policinë për të ndërtuar një kornizë të re hetimore.



