Presidenti i PPE-ve, ka reaguar me një deklaratë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, gjatë të cilës ishte i pranishëm përmes videokonferencës.
Në një deklaratë të shpërndarë në media mbrëmë vonë, Joseph Daul, thekson domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në zgjedhje të të gjitha partive.
Daul shprehet se PPE-të vlerësojnë qëndrimet e PD-së kundër drogës dhe shton se institucionet e BE-së duhet të angazhohen për fuqizimin e luftës ndaj saj.
Deklarata
Patëm një shkëmbim idesh të frytshëm e të sinqertë me kreun e PD-së, Lulzim Basha, dhe grupin e tij parlamentar. Objektivi i videokonferencës së sotme ishte t’i bënim thirrje partisë anëtare të grupit të PPE-ve për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar para zgjedhjeve parlamentare.
PPE dhe anëtarja e saj PD ndajnë të njëjtat pikëpamje për një luftë më të ashpër kundër drogës dhe theksojnë se ajo është thelbësore për Shqipërinë. E vlerësojmë PD-në për vënien e kësaj lufte në krye të axhendës së saj politike.
BE-ja duhet të rrisë mbështetjen financiare për vëzhgimin nga ajri të territorit të Shqipërisë, në mënyrë që të identifikohen plantacionet me kanabis dhe të monitorohet asgjësimi i tyre.
Regjistrimi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme është thelbësor për të gjitha partitë. Theksoj se asnjë lloj bojkoti nuk është në përputhje me standardet e BE-së apo PPE-ve.
Në këtë aspekt, PD më siguroi se do të angazhohet në negociata të tjera me maxhorancën, për gjetjen e një zgjidhjeje.
Për më tepër, duhet të theksoj se kompromisi i propozuar nga zv.presidenti i PPE-ve, David McAllister, javën e kaluar ka përcaktuar prioritetet për të bërë të mundur që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë pikë, u bëj thirrje të gjitha partive të angazhohen seriozisht për gjetjen e një zgjidhjeje politike.



