Skandalet me tenderat nuk janë gjë e rë në Shqipëri. Ai i radhës ka të bëjë me tenderin për "Rehabilitimin e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor", me REF-49766-02-06-2020 dhe fond limit 165.097.640 lekë.
Sot është njoftuar fituesi me "procedurë me negocim pa shpallje paraprake". Fituesi është bashkimi i shoqërive AGI KONS sh.p.k, dhe Edil – Al –IT sh.p.k. Vlera e ofruar (fituar) e tenderit është 165.083.333 lek, ose 14.307 lek më pak se fondi limit.
E shprehur në përqindje është 99.9913 për qind e fondit limit. Ndoshta ky është dhe një rekord i ri i kësaj qeverie përsa i përket raportit të vlerës fituese kundrejt fondit limit.
Fituesit nuk janë të panjohur për publikun. Kemi të bëjmë me dy ndërtues pranë qeverisë së Edi Ramës: Gentian Sula, i njohur si ndërtuesi i Kodrës së Diellit dhe vëllezërit Dulaku të Vizion Plus.
Rikonstruksioni i TOB nuk është hera e parë që bëhet. Edhe më parë, këtë tender e ka fituar po ky bashkim shoqërish, në një procedurë të vitit 2016 me vlerë fituese 926.754.355 lekë (të reja).



