
Edhe presidenti amerikan duket se është kundër planit të kryeministres britanike për Brexit-in. gjatë viztës në Britani, Trump tha se Uashingtoni dhe Londra mund të mos arrijë marrëveshje tregtare nëse plani i May-t për një Brexit të butë nis të zbatohet.
Trump i tha gazetës “The Sun” se plani i May-t “mund të vrasë marrëveshjen”, çka do të thoshte se SHBA do t’i bënte llogaritë me Bashkimin Europian në vend të Britanisë.
Qeveria britanike nuk ka reaguar pas këtyre komenteve.
Kryeministrja Theresa May e ka parë vizitën e parë të Trump në vendin e saj si një mundësi të mirë për një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-të. Ajo është shprehur se Brexit-i është një mundësi e mirë për të krijuar rritje në Britani dhe SHBA.
Trump është shprehur gjithashtu se ish-ministri i Jashtëm, Boris Johnson, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, do të ishte një kryeministër i shkëlqyer dhe shtoi se “ai ka çfarë duhet për të qenë i tillë”.
As kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, nuk ka shpëtuar pa u komentuar nga Trump. Në intervistë, Trump e ka kritikuar Khan-in për mënyrën sesi Londra reagoi ndaj sulmeve terroriste të vitit të kaluar. “Një punë e tmerrshme”, tha Trump për punën e Khan. / BBC /



