Ushtria ruse ka kryer rreth njëqind sulme në 24 orët e fundit në frontin lindor të Ukrainës, pothuajse gjysma e të cilave ishin rreth Mariïnka-s, një pikë e re nxehtë.
Situatën e bëri me dije ushtria ukrainase këtë të premte.
“Armiku u përpoq me dhjetëra herë të thyente mbrojtjen e trupave tanë në zonën Mariïnka, që ndodhet në rajonin e Dontesk-ut”, specifikon shtabi i përgjithshëm ukrainas në raportin e tij të mëngjesit.
Qyteti Mariïnka, i shkatërruar plotësisht, u pushtua në dhjetor nga ushtria ruse.
“Nuk po fokusohemi vetëm në drejtimin e Avdiïvka-s, sepse kemi një pikë tjetër të nxehtë, para së gjithash, kemi drejtimin e Mariïnka-s”, tha të enjten në mbrëmje Dmytro Lykhoviy, zëdhënësi i komandës operacionale në këtë zonë.



