Mbi helmimin e 41 turistëve polakë këtë të premte në Vlorë, policia ka reaguar duke thënë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Në një njoftim zyrtar, thuhet se turistët janë paraqitur në spital rreth orës 20:10, me simptoma helmimi nga ushqimi.
Nga verifikimet paraprake rezulton se këta shtetas, gjatë ditës së sotme, kanë qenë me guidë, me anije turistike, në ishullin e Sazanit. Grupi hetimor i ngritur për këtë rast, në bashkëpunim me specialistë të AKU-së dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të helmimit të këtyre shtetasve.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar Ushqimor.
“Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit, ku ishin të përfshirë disa pacientë të rinj nga Polonia, të cilët ishin me pushime në Shkodër e kanë udhëtuar drejt Vlorës. Pas udhëtimit me anije në Vlorë, menjëherë, janë paraqitur për kujdes mjekësor pranë Spitalit Rajonal Vlorë, me të cilët kemi punuar ngushtësisht”, thuhet në njoftimin e AKU-së.
Ky institucion, thekson se situata e pacientëve nuk paraqitet kritike dhe se AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve.
“I bëjmë thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit”, thuhet më tej.
Gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta.



