
Ardian Shtuni, ekspert sigurie në SHBA, thotë se epërsia e pritshme e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve do të ndikojë ndjeshëm administratën “Biden” në dy vitet e mbetura të mandatit. Në studion e lajmeve të MCN TV, përmes një lidhjeje Skype, Shtuni tha se marrja e kontrollit të Dhomës së Ulët të Parlamentit nga republikanët mund t’u japë këtyre të fundit mundësinë e nisjes së hetimeve për një sërë çështjesh.
Rezultati do të ndikojë ndjeshëm te administrata Biden. Kjo do të ngatërrojë pak kalkulimet e administratës. Do të ndikohet implementimi i axhendës, por edhe hetimet që do të bëhen ndaj administratës. Mund të ketë hetime përsa i përket mënyrës si u larguan SHBA nga Afganistani. Mund të ketë hetime edhe për djalin e presidentit Biden.
Sipas Shtunit, ndryshe nga sa pritej, epërsia e republikanëve nuk do të jetë e thellë, megjithatë e mjaftueshme për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve.
Janë zgjedhje të rëndësishme për presidencën Biden. Ka inflacion të lartë prej 9%. Pritej që republikanët të marrin kontrollin e Kongresit. Duhen 218 mandate për ta marrë, por janë në epërsi. Një epërsi e pritshme, pasi tradicionalisht kështu ka ndodhur. Pritej të kishte një dallgë republikane, por kjo nuk po materializohet. Do të ketë një avantazh shumë më të lehtë seç mendohej.



