Sekuestrohet mbi një ton kanabis në fshatin bregdetar të Vilunit në Velipojë. Lënda narkotike u sekuestrua nga Forcat Operacionale nga Tirana në një operacion të mbajtur sekret për shkak të frikës nga dekonspirimi. Ndërhyrja është bërë në momentin që trafikantët po e transportonin me furgon nga Shkodra në një hotel në Vilun, ndërsa më pas do të ngarkohej në gomone per t'u trafikuar në Itali.
Në flagrancë në momentin që po zhvillohej aksioni për sekuestrimin e kanabisit në fshatin Vilun është arrestuar efektivi i policisë Prel Zylja, i cili sipas burime të Report Tv ka qenë garant për transportin e drogës. Polici mësohet se është vëllai i Ndrek Zylës, zv/ komandat i kufirit.
Forcat Operacionale nga Tirana mësohet se u kanë thënë policëve të patrullës që të ruajnë furgonin pasi ka disa hajdutë. Në momentin që droga po shkarkohej nga furgoni për në bodrumin e hotelit në Vilun Forcat nga Tirana ndërhynë. Policia kishte rënë prej disa kohësh në gjurmët e trafikantëve pas përgjimeve, ndërsa priti momentin e fundit për t’i arrestuar.
Nga operacioni përpos policit janë arrestuar edhe disa persona. Aktualisht droga e sekuestruar po peshohet, ndërsa drejtori i Policisë së Qarkut të Shkodrës ka paralajmëruar një konferencë për mediat për të dhënë më shumë detaje nga operacioni.
Aksioni vijon për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat që janë përfshirë në trafikun e lëndës narkotike. Pas vështirësisë në Jug të vendit, tashmë trafikantët po tentojnë që të trafikojnë kanabisin drejt Italisë nga zona e Shëngjinit dhe Velipojës.



