
Nëse bëhet kryeministër, Matteo Salvini do të njohë Jeruzalemin si kryeqytet në Izraelit. Ish-ministri i Brendshëm italian, që doli në opozitë pak muaj më parë, thotë se do të ndjekë linjën e presidentit Trump në raportet me Izraelin. Lideri i ekstremit të djathtë në Itali, Lega, e bëri këtë deklaratë në një intervistë për gazetën “Israel Ha-Yom”. Kjo e fundit njihet si një media pranë kryeministrit Benjamin Netanjahu.
I pyetur në lidhje me rikthimin e antisemitizmit në Europë, Salvini ka thënë: "Për mendimin tim, kjo ka të bëjë me forcimin që ka pësuar vitet e fundit ekstremizmi dhe fanatizmi islamik".
“Është shumë e rëndësishme të thuhet se kjo lidhet edhe me faktin se disa elementë në botën akademike dhe në media janë mobilizuar kundër Izraelit dhe nxisin urrejtje për të justifikuar antisemtizmin”, është shprehur Salvini.
“Kjo rrëmuja e krijuar nga emigrantët myslimanë kontribuon në shpërndarjen e antisemitizmit edhe në Itali. Ka antisemitizëm të ekstremit të djathtë dhe atij të majtë. Mendoni për Jeremy Corbyn dhe aktivistët e së majtës në Gjermani që nuk duan të jenë si nazistët, por bojkotojnë produktet izraelite”, ka shtuar ai.



