Agjencisë Amerikane të Hapësirës i është dashur të shtyjë për herë të dytë brenda javës lëshimin e raketës së re “Artemis 1” për në hënë.
Kontrollorët nuk mundën të ndalonin një rrjedhje hidrogjeni në automjet, që nga fillimi i procedurës së numërimit të së shtunës. Gjasat janë që raketa të lëshohet ditën e hënë ose të marten.
Pas kësaj ajo do të duhet të kthehet në ndërtesën e montimit për inspektim dhe mirëmbajtje.
Sistemi i Nisjes Hapësinore është raketa më e fuqishme e zhvilluar ndonjëherë nga NASA. Kur kontrollorët dërguan komandën herët në mëngjes për të mbushur rezervuarin e hidrogjenit të raketës, një alarm ra, duke treguar se kishte një rrjedhje. Problemi u gjurmua në lidhjen ku hidrogjeni pompohej në automjet.
Kontrollorët provuan një sërë rregullimesh, por pa sukses. Është e mundur që NASA mund të provojë sërish në ditët në vijim. Por nëse raketa duhet të kthehet përsëri në ndërtesën inxhinierike për punë të mëtejshme, kjo do të sjellë disa javë vonesë.



