Dionis Sota, kandidat i pavarur për Bashkinë e Vlorës, foli në studion e MCN TV në lidhje me problemet emergjente me të cilat përballen banorët. Ai tha se kandidatura e tij mbështetet edhe nga Partia Demokratike.
Mua më ka dhembur si shumë vlonjatëve emigrimi i shtuar dhe degradimi dhe lënia në hije e çështjeve sociale dhe nevojave emergjente e të gjitha lagjeve të Vlorës. Çështja e ujësjellësit është një problem shumë serioz. Por të bëjmë një analizë, që pas viteve 2014-2015, janë miliona euro për ujësjellësin e Vlorës. Por të kërkosh të rifillosh nga e para një ujësjellës, jo të rikonstruktosh ekzistuesin, nuk shkon më shumë se 65 milionë euro. Është një problematikë që e kemi vuajtur në lagjen time. Uji vjen me orar. Të gjithë banorët që e kanë përkrahur PS nuk kanë ujë. Sot rrugët në Vlorë janë shkatërruar dhe askush nuk mban përgjegjësi. Dje patëm një defect që ngeli gjithë qyteti pa ujë. Duhet riorganizuar nga e para pastrimi dhe i duhet dhënë rëndësi turizmit. Në një qytet si Vlora, ai është themeli i ekonomisë së qytetit.
Sota tha se pjesë e projektit të tij është edhe mbështetja e familjeve në nevojë për strehimin, sipas modelit të Barcelonës në Spanjë.



