Deri ku shkon liria e të shprehurit?

Deri ku shkon liria e të shprehurit?

Një karikaturë e publikuar në “Jerusalem Post” nuk u prit mirë nga një pjesë e madhe e lexuesve dhe kjo i kushtoi vendin e punës autorit të saj. Avi Katz u pushua nga puna pasi karikatura e tij u publikua në revistën e përdyjavshme të “Jerusalem Post”, “The Jerusalem Report”. Katz e kishte paraqitur kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe pjesëtarët e qeverisë së tij si derra.

“The Jerusalem Post”, me anë të një shkrimi, e mbrojti vendimin për ta pushuar nga puna autorin e karikaturës, duke thënë se paraqitja e politikanëve izraelitë si derra ka shkelur hapur standardet etike dhe ato editoriale të gazetës.

Karikatura në fjalë bazohet në romanin e njohur të Xhorxh Oruell, “Ferma e kafshëve”. Ajo mban diçiturën “Disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”. Ajo është shndërrimi në vizatim i një fotoje të kryeministrit Netanjahu dhe kolegëve të tij, teksa festonin pas kalimit në Parlament të një ligji bazë që e cilëson Izraelin kombi-shtet i hebrejve.

Por nëse në vende të tjera të botës, kjo karikaturë mund të kalonte edhe pa u vënë re, në kontekstin izraelit fabula merr përmasa të tjera.

“Imazhi i derrave na rikthen në vëmendje parullat antisemitiste të përdorura kundër hebrejve gjatë historisë. Vetëm pak kohë më parë, një studiues i lidhur me Hamasin tha: Allahu i ka shndërruar hebrejtë në derra dhe majmunë. Ne si gazetë sioniste nuk mund ta pranojmë këtë analogji poshtëruese. Kritikat mund t’i pranojmë, por urrejtjen dhe nxitjen e saj jo”, thuhet në editorialin e “Jerusalem Post”.

Megjithatë, në shkrim pranohet se vendimi për të pushuar karikaturistin Katz nuk ka qenë i lehtë.

“Nga njëra anë, ne besojmë fort në lirinë e të shprehurit - dhe sidomos të drejtën e opinionistëve dhe karikaturistëve tanë për të shprehur atë që mendojnë pa qenë nën presionin apo intimidimin e forcave të jashtme. Por nga ana tjetër, të gjitha liritë, duke përfshirë atë të shprehjes, kanë kufijtë e tyre”, thuhet në shkrim.

Karikatura u pasua nga kritika të ashpra në rrjetet sociale nga një pjesë e lexuesve. Por pati edhe nga ata që dolën në mbështetje të Katz. Gazetari i “Jerusalem Post”, Haim Watzman, dha dorëheqjen në formë proteste ndaj vendimit.

“Nuk e gjej veten në një gazetë që largon një pjesëtar të stafit thjesht sepse puna e tij ka mërzitur disa lexues. Gazetaria, kur bëhet mirë, gjithmonë zemëron ndonjë lexues, dhe është detyra e botuesve dhe menaxherëve të gazetës ose revistës të qëndrojnë në krah të pjesëtarëve të stafit, kur lexuesit ankohen. Kjo është më shumë se asnjëherë e vërtetë në rastin e karikaturistëve, puna e të cilëve është satira dhe një satirist i mirë nuk resht kurrë së shqetësuari për zemërimin që mund të shkaktojë te qytetarët”, shkroi ai.

Por në editorialin e saj, “Jerusalem Post” shprehet se edhe në karikaturë duhet të ketë disa kufizime. “Liria e të shprehurit nuk është liri për të shpifur e dëmtuar të tjerët pa u ndëshkuar. Politikanët e paraqitur në karikaturat satirike mund të gjenden në pothuajse çdo gazetë botërore, por duhet të ketë kufizime. Katz, sipas mendimit tonë, i ka shkelur ato kufizime ", argumenton gazeta.

Karikaturat satirike kanë provokuar shpesh debate në vende të ndryshme të botës. Karikaturat e profetit Muhamed në gazetën daneze “The Jyllands-Posten” disa vite më parë shkaktuan reagime të ashpra te myslimanët. Rasti më i rëndë u shënua në Francë në janar të 2015-s, kur revista satirike “Charlie Hebdo” u bë pre e një sulmi terrorist, gjatë të cilit mbetën të vrarë 12 pjesëtarë të stafit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy