Një kamion i ngarkuar me paleta druri rezultoi se transportonte edhe drogë, gjatë një kontrolli që iu ushtrua sot paradite në doganën e Qafë Thanës. Policia ka vënë në pranga shoferin maqedonas, Nikola Damcheski, 40 vjeç. Dyshimi se në kamion mund të kishte lëndë narkotike lindi pas skanimit të mjetit. Policia gjeti në të plot 273 kg kanabis.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë-Thanës bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit maqedonas: Nikola Damcheski, 40 vjeç, banues në Maqedoni. Shtetasi i mësipërm është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë me një mjet tip trailer të markës "Volvo"me targa OH9622AB dhe Rimorkio me targë OH0696AC, në të cilën ishin të imbarkuara paleta druri. Ky mjet u përzgjodh për kontroll në vijën e dytë dhe më pas në Skaner. Gjatë procesit të skanimit, u shfaqën dyshime se në mjet mund të ishte fshehur lëndë narkotike. Nga kontrolli i detajuar, në pjesën e brendshme të 800 paletave prej druri, u konstatuan vende të përshtatura, në të cilat ishin fshehur 1563 kuti plastike (me ngjyrë të zezë) me peshë totale 273 KG lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sativa . Veprimet proceduriale të rastit, u kryhen nga ana e Specialistëve të Sektorit për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë. Nga këto struktura vijon puna për dokumentimin e ngjarjes, thellimin e hetimeve, identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë linjë trafiku ndërkombëtar të lëndëve narkotikëve. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 283/a dhe 22 i Kodit Penal.



