
Studiuesi Sazan Guri mbështet idenë e autorit dhe studiuesit Alban Kraja që gjuha shqipe të kërkohet të shpallet trashëgimi kulturore në UNESCO.
I ftuar në studion e emisionit “Zgjohu me MCN”, ai u shpreh se tashmë po zhvillohen përgatitje dhe diskutime me gjuhëtarë të ndryshëm për ta paraqitur shqipen si një vlerë të veçantë kulturore që meriton mbrojtje dhe promovim në nivel ndërkombëtar.
Sipas Gurit, kjo nismë është përkrahur nga shumë studiues, ndërsa në qendër të saj qëndron puna e Alban Krajës, të cilën ai e cilëson si “titanike” në drejtim të evidentimit të vlerave të shqiptarisë në Ballkan dhe Evropë.
Studiuesi Kraja ka arritur të vizitojë dhe të studiojë nga afër shumë objekte dhe artefakte që lidhen me historinë dhe gjuhën shqipe, duke sjellë fakte konkrete që mund ta çojnë këtë gjuhë në vëmendjen e UNESCO-s”.
Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes për të paraqitur këtë kërkesë, në bashkëpunim me kolegë, si dhe në mirëkuptim me Akademinë e Shkencave dhe institucionet përkatëse.
Studiuesi Guri renditi disa nga argumentet që, sipas tij, dëshmojnë vlerat historike të gjuhës shqipe.
Mes tyre përmendim hershmërinë e alfabetit, duke iu referuar tezave që e lidhin atë me gjuhët e lashta, si dhe kontributin e figurave të njohura si Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe Marin Barleti.
Kemi edhe studime të ndryshme që tregojnë përdorimin e shqipes në institucione fetare dhe dokumente historike, si dhe ekzistencën e hershme të shkollave dhe qendrave arsimore në trojet shqiptare.
Megjithatë, ai theksoi se kjo nismë kërkon një punë të gjatë dhe të argumentuar shkencërisht për t’u pranuar në UNESCO, duke qenë se bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar dhe konkurrues në nivel ndërkombëtar.



