Ministria e Financave pritet që javën e ardhshme të japë para shtesë për tenderët e prokuruar deri më tani, që janë prekur nga rritja e çmimeve. Kjo është hera e parë që qeveria rishikon fondet e tenderave publikë pasi ato janë prokuruar.
Në studion e lajmeve, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se efektet në buxhetin e shtetit do të jetë miliarda lekë. Sipas tij, ky vendim është pasojë e lobimeve të grupit të interesit.
Në kohën e pandemisë çmimet për lëndën e parë arritën në nivele minimale, nuk doli kush të thoshte që ne i kemi fituar tenderat me fonde limite, tani që çmimet ranë, na ulni fondet t’u kthejmë paratë mbrapsht në buxhet. Kjo tregon se risku i mbetet buxhetit, pra qytetarit. Si kur ulen çmimet, si kur rriten, gjithmonë fatura u mbetet qytetarëve.
Kjo është një maxhorancë që ndikohet nga lobimet që vijnë nga grupet e interesit. Dikush sot thoshte se janë lekët e tyre prandaj i shtojnë. Ne e dimë se çfarë ndodh me tenderat publikë në Shqipëri. Jepen ryshfete për t’i fituar. Janë paguar paratë. Nuk u del llogaria tani dhe u duhet të shtojnë fondet që të justifikojnë ryshfetin. Nëse ka kontrata që janë fituar me çmime që sot nuk mund të realizohen, nuk përjashtohet që qeveria mund të ndërhynte. Kam frikë se ky proces do të keqpërdoret dhe keni për të parë që do të rishikohet çmimet e koncesioneve.
Nuk e dimë akoma sa do të jenë kostoja financiare. Vendimi do të dalë javën tjetër. Do të jetë një lëvizje e cila do të ketë efekte në rendin e miliarda lekëve për buxhetin e shtetit.



