Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua në orët e vona të së enjtes me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan për të biseduar mbi vendosjen e stabilitetit në Siri ndërsa forcat kurde të mbështetura nga Uashingtoni luftojnë me rebelët e mbështetur nga Ankaraja në veri të këtij shteti.
Mes dy liderëve nuk pati një konferencë të përbashkët për shtyp, por në një njoftim të presidencës turke thuhet se Blinken dhe Erdogan diskutuan për një Siri në paqe ndërsa kreu i shtetit turk bëri thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar që të punojnë për rindërtimin e Institucioneve Siriane.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë se presidenti turk i bëri të qartë kreut të diplomacisë amerikane se Ankaraja nuk do ta ndalë luftën ndaj atyre që ajo i quan organizata terroriste dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Nga ana tjetër Blinken vuri theksin se Shtetet e Bashkura dhe Turqia kanë një interes të përbashkët për të mbështetur një tranzicion politik të qetë në Siri me synimin për të vendosur një qeveri të përgjithshme.
Si Blinken ashtu edhe Erdogan ranë dakord se lufta kundër Shtetit Islamik dhe rigrupimit të tij nuk duhet ndalur.
Sekretari amerikan i Shtetit vijoi vizitën e tij këtë të premte në Ankara ku u takua me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan.
Në një konferencë për shtyp me homologun e tij turk, Blinken u shpreh se përtej fokusit tek nevoja që ekziston për vendosjen e një qeverie të duhur në Siri ata diskutuan edhe mundësinë reale që ekziston tani më për një armëpushim në Rripin e Gazës.



