Një grup banorësh dhe qytetarësh të prekur nga projekti TID kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare për informacion dhe transparencë pranë Bashkisë Durrës dhe Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar sqarime mbi rishikimin e projektit dhe problematikat e evidentuara gjatë zbatimit të tij.
Kërkesa, e datës 15 maj 2026, u është drejtuar gjithashtu disa institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, mes tyre Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokatit të Popullit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe organizatës World Heritage Watch.
Banorët shprehen se gjatë një takimi të zhvilluar më 13 maj 2026 me përfaqësues të Bashkisë Durrës, institucionet kanë pranuar ekzistencën e problematikave në trajtimin e pronave, dokumentacionit juridik, vlerësimin e objekteve ekzistuese dhe zgjidhjet teknike të projektit.
Në dokument theksohet se:
verifikimi i plotë juridik i pronave nuk është kryer përpara avancimit të projektit;
lista e shpronësimeve dhe VKM nr. 477, datë 31.07.2025, janë në proces rishikimi;
Ministria e Kulturës do të ketë rol në verifikimin në terren të situatës ekzistuese.
Banorët kërkojnë transparencë të plotë mbi:
ngritjen e një grupi pune për verifikimin në terren;
publikimin e gjetjeve dhe problematikave të evidentuara;
mënyrën se si do të shmangen gabimet në fazat e ardhshme të projektit;
arsyet konkrete të shpronësimit për secilin objekt të përfshirë në projekt.
Sipas grupimit të banorëve, mungesa e një procesi të qartë dhe transparent rrezikon të cenojë sigurinë juridike të pronarëve dhe të thellojë konfliktin publik rreth projektit TID Durrës.
Ata kërkojnë një përgjigje zyrtare dhe të argumentuar nga Bashkia Durrës dhe Ministria e Kulturës, duke theksuar se përfshirja reale e qytetarëve dhe respektimi i të drejtave të pronësisë duhet të jenë pjesë thelbësore e procesit të rishikimit të projektit.



