
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndaluar hyrjen e mbi 985 kilogramëve açuge të kriposura, të kontaminuara me parazitin L3 Anisakis, të importuara nga Kroacia dhe Italia.
Ky parazit shkakton inflamacion gastrointestinal dhe mund të sjellë komplikime serioze nëse depërton në mukozën e stomakut ose të zorrëve.
Eksperti i Sigurisë Ushqimore dhe Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Kapllan Sulaj, shpjegon në emisionin "Zgjohu me MCN" se si mund të ndikojë ky parazit në shëndetin e njeriut dhe si rritet në organizëm.
Sulaj thekson se paraziti është më i pranishëm tek açuget e importuara dhe mund të shkaktojë sëmundjen e njohur si anisakiaza, e cila ka efekte të dëmshme tek njeriu.
Te njerëzit është një parazit që kur konsumohet merr në formën e lavrave te peshqit, rritet brenda turpit të njeriut dhe konsumon pjesë të ushqimit që ne marrim sepse është një parazit.
Kryesisht krudot janë ato të cilat mund të kontaminojnë organizmin e njeriut, bëhet fjalë për peshqit e vegjël , për acuget dhe sardelet, por edhe për peshqit e mëdhenj, kryesisht ka një incidencë më të lartë krahasuar me ato të mëdhenjtë, mund te gjendet te salmoni, te të gjitha llojet e peshqve.
Eksperti i Sigurisë Ushqimore thekson se gatimi me temperaturë të lartë dhe ngrirja e thellë janë mënyrat më të sigurta për të eliminuar këta parazitë.
Nëse peshku piqet në temperatura mbi 60°C, parazitët nuk mund të mbijetojnë. Prandaj, rekomandohet që peshku të mos konsumohet i papërpunuar, por të kalojë në një trajtim termik të duhur. Peshku i gatuar ose i ngrirë thellë në temperatura më të ulëta se -40°C është më i sigurt dhe parazitët do të inaktivizohen.
Për ata që konsumojnë peshk të papërpunuar, është e rëndësishme të sigurohen që ai të ketë kaluar një proces të thellë ngrirjeje për të eliminuar mundësinë e parazitëve.



