Kryeministri Rama tha sot se gjatë mandatit të tij qeverisës janë sekuestruar 2.5 herë më shumë pasuri të vëna në mënyrë të paligjshme krahasuar me 8 vitet e qeverisjes së shkuar. Gjatë një aktiviteti me temë “Promovimi i gruas në polici”, Rama tha se 100 milionë euro janë sekuestruar si pasuri kriminale.
“7 3084 persona të shpallur në kërkim janë kapur. Pakrahasimisht me shumë se shifrat e së shkuarës së afërt. 100 milionë euro më shumë pasuri kriminale e sekuestruar. Këto para që për buxhetin e vendit janë një zë i konsiderueshëm, nga vijnë? Vijnë nga droga, trafiqet, kontrabanda. Janë para që sekuestrohen, nuk janë para që deri dje i gjenin rrugët për t’u shpërndarë në anën e krimit dhe në atë të politikës”, tha ai.
Akuzave të PD-së se këto para do të përdoren për të blerë votat, Rama iu përgjigj me një shprehje të Kantit.
“Mos harroni shprehjen e Kantit: Kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ka bërë, ose e ka bërë vetë ose është në gjendje ta bëjë. E tillë është përgjigjja për akuzat lidhur me paratë e drogës dhe krimit.
Janë 254 % më shumë se në 8 vite të mbledhura bashkë të qeverisë së atyre që përditë sulmojnë policinë e shtetit. Në 26 vjet kurrë nuk është sulmuar më shumë se sot Policia e Shtetit”, tha ai.



