55% e të moshuarve që kanë dalë në pension gjatë këtij viti nuk kanë arritur të plotësojnë vitet e nevojshme të punës për të përfituar pension të plotë, duke u detyruar të marrin vetëm pension të pjesshëm.
Fenomeni, i cili sipas ekspertëve po përkeqësohet nga viti në vit, ishte në fokus të diskutimit në emisionin “MCN Economy”, ku të ftuar ishin eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha e lidhi këtë situatë me problematikat e trashëguara ndër vite në sistemin e sigurimeve shoqërore, duke theksuar se treguesit janë përkeqësuar ndjeshëm që nga ndryshimi i sistemit ekonomik.
Për t’i dhënë një shpjegim kësaj situate duhet të shohim në kohë se si kanë evoluar këto shifra që nga ligji i vitit 1993. Me ndryshimin e rendit dhe kalimin nga një ekonomi e centralizuar në një ekonomi kapitaliste u konstatuan probleme nga më të ndryshmet. Një nga çështjet më të rëndësishme është raporti mes atyre që kontribuojnë dhe atyre që përfitojnë pension. Sot ky tregues është 100 me 117 dhe është përkeqësuar shumë. Një problem tjetër i rëndësishëm që ndikon te pensionet e pjesshme është shmangia e detyrimeve, pra puna në të zezë. Sipas të dhënave kemi rreth 840 mijë kontribuues dhe treguesi i pensioneve të pjesshme po përkeqësohet çdo vit. Në tre vitet e fundit situata ka ardhur duke u rënduar dhe shkaku kryesor mbetet puna në të zezë, e cila u ka hequr mijëra qytetarëve vitet e nevojshme për pension të plotë.
Ai ngriti shqetësimin edhe për problemet me administrimin e dokumentacionit ndër vite, duke pretenduar se numri real i pensioneve të pjesshme mund të jetë edhe më i lartë.
Deri në vitin 1993, për shkak të papërgjegjshmërisë së administratës së kohës, shumë dokumente nuk janë ruajtur. Edhe më pas, nga viti 1994 deri në vitin 2011, shteti nuk ka administruar siç duhet dokumentacionin e derdhjes së kontributeve të qytetarëve. Kushdo që ka derdhur kontribute dhe nuk e gjen emrin në listat përkatëse, do të përballet me pasoja në të ardhmen. Për këtë arsye mendoj se raportimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore nuk e pasqyron plotësisht realitetin dhe numri i pensioneve të pjesshme mund të jetë më i lartë sesa ai që raportohet zyrtarisht.
Ndërkohë, eksperti i ekonomisë Pano Soko tha se problematika është pasojë direkte e informalitetit të lartë që ka karakterizuar ekonominë shqiptare gjatë dekadave të fundit.
Shqipëria po korr sot pasojat e asaj që ndodhi në periudhën postkomuniste. Një nga fenomenet më të përhapura ka qenë informaliteti, i kombinuar me brishtësinë e institucioneve shqiptare dhe dobësimin që ato pësuan në fund të shekullit të kaluar. Kjo po reflektohet drejtpërdrejt tek ata që dalin sot në pension. Ekonomia informale ka qenë për vite me radhë në nivelet 40 deri në 50 për qind. Kjo do të thotë se vetëm gjysma e forcës reale të punës ka kontribuar rregullisht në skemën e sigurimeve. Shumë qytetarë e konsideruan sigurimin shoqëror si një kosto shtesë dhe ranë dakord me punëdhënësit për t’i marrë këto para në dorë, pa paguar kontribute. Sot po përballen me pasojat e atij vendimi.
Sipas tij, mungesa e pensioneve dinjitoze ka ndikuar gjithashtu në uljen e interesit për të kontribuar në skemë, duke rrezikuar edhe më tej të ardhmen e sistemit.
Pensioni i pjesshëm është pasojë e qasjes që qytetarët kanë pasur ndaj kontributeve shoqërore. Njerëzit zgjodhën të mos paguanin sigurimet sepse niveli i pensioneve nuk ka qenë asnjëherë mjaftueshëm tërheqës apo dinjitoz. Edhe sot shumë qytetarë vazhdojnë t’i konsiderojnë sigurimet si një taksë dhe jo si një investim për të ardhmen. Nëse kjo qasje nuk ndryshon, pas dy dekadash situata do të jetë edhe më e rëndë. Mund të përballemi me një përqindje shumë më të lartë të popullsisë që nuk do të ketë pension ose do të përfitojë vetëm pensione minimale. Në këtë kuptim, shifra aktuale prej 55 për qind është vetëm një paralajmërim për atë që mund të ndodhë në vitet e ardhshme, e cila pritet të shkoj në 85% e popullsisë pa pension fare.



