
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi se palët kanë rënë dakord në Bruksel se zgjedhjet e reja janë kyçe për të dalë nga kriza në Veriun e Kosovës. Ai tha se pret që zgjedhjet të mbahen muajin e ardhshëm, por theksoi se ende nuk ka një afat zyrtar për to. Ai u shpreh se situata në Veri është serioze dhe e tensionuar dhe ndikon në imazhin e Kosovës, Serbisë dhe vet rajonit. “Kemi pasur qindra njerëz në rrugë për më shumë se një muaj. Kemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Kjo është situatë që qartë tregon se provokimet mund të ndodhin dhe për ne kryesore është depërshkallëzimi”, ka thënë ai. Ai mohoi të ketë qenë i përfshirë në vendimarrjen e Brukselit për të marrë masa kundër Kosovës.



