Një operacion i Antidrogës mesditën e sotme në Tiranë dështoi në kapjen e një të shumëkërkuari, i cili u arratis në mënyrë spektakolare para syve të uniformave blu. Kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, tha në studion e MCN TV, përmes një lidhjeje Skype, se rasti duhet të analizohet, nëse ka pasur neglizhencë apo tejkalim të kompetencave. Për Fishtën, operacioni mund të organizohej në forma të tjera. Ai komentoi edhe gjuhën e përdorur nga uniformat blu në momentin e ndërhyrjes.
Kishte mundësi të realizohej edhe në forma të tjera. Në këtë formë që u bë, ka vend për të kritikuar dhe për të përmirësuar punën. Mundet që për shkak të informacionit apo rrethanave, policia ka ndërmarrë një veprim të shpejtë. Për shkeljet ndaj cilitdo qytetar duhet të kërkojë edhe falje. Është ky rasti i gazetarit. Gjuha e punonjësit të policisë është gjuha e ligjit. Ajo që kanë thënë gjatë arrestimit mund të ketë qenë në shkelje të etikës, pra të ligjit.



