Kryeredaktori i MCN TV, Leonard Mitro, analizoi në studion e lajmeve zhvillimet kryesore të vitit që lamë pas. Mitro u ndal në mënyrë të veçantë te ekonomia e vendit përgjatë 2024, e cila sipas tij nuk u përkthye në mirëqenie për qytetarët shqiptarë, madje pati rënie në sektorë të rëndësishëm si turizmi dhe bujqësia.

Ndryshe nga sa qeveria apo operatorët prisnin, shifrat treguan rënie të ndjeshme dhe këtë e lexoi qeveria, por edhe sipërmarrësit e sektorit që dolën me buxhete të vogla dhe një gjendje që mbart shumë pikëpyetje për të ardhmen.

Bujqësia p.sh. pati rënie këtë vit. Vendime që mund të kenë impakt në ekonominë e qytetarëve ishin vetëm këto të fundvitit, bonusi i pensionistëve dhe një rritje e pagave të administratës në korrik. Megjithatë pa domethënie të madhe në kontekstin e krizës së çmimeve.

Goditje të madhe për sistemin ekonomik e financiar ishte çështja e mikrokredive, ku me mijëra qytetarë ranë pre e një mashtrimi. Madje pati edhe humbej jete të një qyteti që ishte ankuar në prokurorinë e posaçme për mikrokredi. Asgjë për tu shënuar në lidhje me perspektivën e një rritje të madhe ekonomike që pretendon qeveria.

Duke u ndalur në raste me impakt të lartë në opinion, si ai i vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, Mitro tha se kultura e agresivitetit dhe dhunës verbale nis që te politika.

Edhe pse Shqipëria dhe Tirana apo qytetet e mëdha nuk renditen ndër vendet me kriminalitet të lartë të rrugës, duhet të mbajmë parasysh që shoqëria shqiptare dhe ekonomia varet në një masë të madhe nga kriminaliteti. Edhe situata me stabilitetin shoqëror ka ato reflukset e veta, kultura e dhunës reflektohet gjerësisht jo vetëm në një ngjarje si ajo e 14-vjeçarit, por duhet mbajtur parasysh se kultura e agresivitetit dhe dhunës verbale buron nga lart. Të gjithë jemi dëshmitarë të dhunës verbale në politike. Një reagim i kryebashkiakut Veliaj ishte shumë i ashpër dhe me një gjuhë denigruese aspak të përshtatshme për një politikan që është shfaqur si model i të resë në politikë.

Mitro analizoi edhe momentet më të rëndësishme të drejtësisë së re. Sipas tij, SPAK në mënyrë të veçantë gjatë vitit 2024 tregoi se ka një qasje të re në raport me zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë. Lidhur me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Mitro tha se rasti i tij është një test i fortë për Prokurorinë e Posaçme.

Viti 2024 ishte i rëndësishëm në zhvillimet me drejtësinë. Për herë të parë nën drejtimin e Altin Dumanit, SPAK pati lëvizje shumë më kurajoze sa i përket pandëshkueshmërisë së ish-zyrtarëve të lartë. Patën arrestimin e zotit Meta, zotin Berisha dhe dhëndrin e tij... Ditët e fundit të dhjetorit pamë prokurorinë të thërrasë jo vetëm si dëshmitar por edhe si të pandehur zotin Veliaj, për të cilin prokuroria tha se janë gjetur katër shkelje që mund të përkthehen edhe në akuza zyrtare.

Vitit 2025 duhet të jetë një vit me zhvillime të rëndësishme, duke nisur nga rasti i zotit Veliaj. Nëse për të u gjetën 4 shkelje që lidhen me fshehje pasurie, deklarim të rremë, pastrim parash etj., atëherë minimalisht ai duhet të japë përgjigje dhe të vërtetojë të kundërtën. Nëse marrim në analogji rastin e deputetit Salianji, atëherë çfarë duhet të presim për kryebashkiakun. Do të ishte harakiri për Prokurorinë e Posaçme që do të tërhiqej nga një mision. E kemi parë zotin Veliaj që ditët e fundit nuk ka shkuar më tej se përmbajtja e tij politike, e pamë në postimin me gjuhë denigruese ndaj zotit Berisha, por pa argumente.

Sipas Mitros, emigrimi i shqiptarëve do të vijojë nëse atyre nuk u ofrohet perspektivë e qartë ekonomike.

Fatkeqësisht për aq kohë sa ekonomia nuk do të motivojë një perspektivë që sugjeron zhvillimin e vendit dhe ndarjen e pasurisë më të drejtë, e ardhmja duket pesimiste. Nëse paraja qarkullon vetëm në pak duar. Atëherë çdo i ri do ta kishte të vështirë ta shihte Shqipërinë si një vend ku mund të rriste fëmijët e tij.

Mitro theksoi se raste flagrante të korrupsionit të zyrtarëve të lartë janë provë e qartë e arrogancës së pushtetit.

Rasti më flagrant është çështja e inceneratorëve, angazhimi i gjithë makinerisë shtetërore për një investim që nuk ishte i tillë. Inceneratorët nuk ekzistojnë ose nuk janë funksionalë. Këtu u përfshinë shumë njerëz me pushtet, afër kryeministrit apo edhe në media. Baza e Limionit është njëra nga këto raste. Mund të jetë një precedent i rrezikshëm për Ramën.