
Jon Finer, zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri.
Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë ka bërë me dije Finer ka biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Finer theksoi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa që synojnë de-përshkallëzimin e situatës.
Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t'u bëjë thirrje protestuesve që të qëndrojnë paqësorë në veri të Kosovës.
Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti.



