Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, akuzoi dje kryeministrin Edi Rama se ëndrra e tij është ta shndërrojë Shqipërinë në një burg të madh me ngjyra dhe ai të jetë drejtuesi i tij. I ftuar në “Dritare” të Rudina Xhungës, Meta akuzoi Ramën se po sulmon LSI-në për të rikthyer socialistët e zhgënjyer, por edhe se qeveria e Rilindjes drejtohet nga ish-funksionarët e Bashkisë së Tiranës. Meta tha se Rama donte të kapte drejtësinë, ndërsa shtoi se miratimi i reformës është meritë vetëm e LSI-së.
“Edi Rama tha se Reforma në Drejtësi është ajo që na ndau me zotin Meta. Reforma në Drejtësi që donte zoti Rama është praktikisht reforma që bëri në polici. Me drogën dhe situatën që ka policia sot. Dhe këtë reformë donte në mënyrë që të këtë një polici që fsheh provat e krimit, një polici që dhunon dhe mban në presion qytetarët e thjeshtë, të pambrojturit, apo ata që dyshohet që nuk janë me Rilindjen, se për socialistët nuk u bëhet vonë prej kohësh atyre. Dhe nëse Reforma në Drejtësi është në këtë moment, edhe pse e vonuar po jo e shkatërruar, kjo është vetëm prej LSIsë dhe Ilir Metës. Sepse Edi Rama donte një reformë që ta kapte drejtësinë, një reformë që ta përdorte siç ka përdorur policinë. Si do ta kapte? Përmes formave, siç ka kapur policinë. Njëkohësisht donte një reformë pa opozitën dhe donte ta shkatërronte opozitën, donte ta nxirrte që ishte opozita pengesë për këtë reformë, dhe natyrisht donte një reformë që ta ndihmonte atë të bëhej një drejtor i një burgu të madh që quhet Shqipëri, por burg me ngjyra”, tha ai.



