Benjamin Griveaux, kandidat i mbështetur nga presidenti francez, Emmanuel Macron, tërhiqet nga fushata për kandidimin për kryetar të Bashkisë së Parisit pas publikimit të një videoje intime në mediat sociale. «Një faqe në internet dhe rrjetet sociale kanë filluar sulme të egra në jetën time private. Familja ime nuk e meriton. Askush nuk duhet t'i nënshtrohet një abuzimi të tillë", tha Griveaux, i cili ishte gjithashtu edhe zëdhënës i qeverisë franceze.
Vendimi i eksponentit të partisë së Macron, La Republique En Marche, vjen një muaj para votimit në kryeqytetin francez. “Prej më shumë se një viti - shpjegoi Griveau në fjalimin e tij - familja ime dhe unë u nënshtrohemi deklaratave shpifëse, gënjeshtrave, thashethemeve, sulmeve anonime, zbulimit të bisedave të fshehta private dhe kërcënimeve me vdekje. Ky lumë balte që hidhet mbi mua i dëmton edhe ata që dua. Sikur të mos mjaftonte kjo, dje u kalua një fazë e re. Një faqe në internet dhe rrjetet sociale kanë publikuar sulme të ulëta që përfshijnë intimitetin tim”.
Besniku i Macron, në këtë mënyrë ka njoftuar tërheqjen nga gara. "Unë nuk jam gati të ekspozohem më tej. Projekti për Parisin që kemi krijuar dhe për të cilin kemi luftuar, do të vazhdojë më mirë pa mua", shtoi Benjamin Griveaux.



