Maxhoranca është e vendosur të hedhë poshtë në seancën e radhës dekretin e presidentit Meta, me të cilin ai kthen për rishqyrtim ndryshime në Kodin Zgjedhor. Kryeministri Rama tha sot se nuk ka kohë që të pritet opinioni i Komisionit të Venecias, i kërkuar nga presidenti në lidhje me këtë ndryshim kushtetues.
“Parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë. Nuk do të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta. Ai ka qëllim të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist këtë proces. Komisioni është i mirëpritur të sjellë opinionin e vet. Ai do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe mbetemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje që del, natyrisht përtej 25 prillit. Implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet. Koha është e shkurtër, do të nisim punën për identifikimin biometrik”, tha Rama.



