Franca do ta bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskave të fytyrës në transportin publik dhe në shkollat e mesme, kur të fillojë të lehtësojë masat e marra për koronavirusin më datën 11 maj, ka thënë kryeministri Edouard Philippe.
Shkollat do të hapen gradualisht, duke filluar me kopshtet dhe shkollat fillore. Nxënësit e moshës 11-15 vjeç pritet të mbajnë maska për fytyrën.
Njoftimi vjen pasi Spanja gjithashtu përshkroi planin e saj të daljes nga mbyllja, duke synuar atë që kryeministri i saj e quajti "një normalitet i ri" deri në fund të qershorit.
Dyqanet dhe tregjet jo thelbësore në Francë do të hapin dyert e tyre përsëri nga data 11 maj, por jo baret dhe restorantet. Dyqanet do të kenë të drejtë të kërkojnë nga blerësit të jenë të veshur me maska dhe të rrinë një metër larg, thotë "BBC".
Francezët do të jenë në gjendje të dalin përsëri jashtë pa një certifikatë që konfirmon qëllimet e tyre, dhe mbledhjet publike do të lejohen deri në 10 persona.
Franca është ndër vendet më të goditura nga koronavirusi Covid-19 në Evropë, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Italinë dhe Spanjën.



