Me ardhjen e pranverës, për shumë persona nis një periudhë e vështirë për shkak të alergjive të shkaktuara nga poleni. Kjo stinë sjell jo vetëm teshtima e rrjedhje hundësh, por edhe shqetësime të syve që shpesh ngatërrohen me viroza të zakonshme.

E ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, alergologia Maria Zoto dhe okulistja Matina Çobo dhanë disa këshilla të rëndësishme për të dalluar alergjitë nga virozat dhe për të shmangur komplikimet e mundshme veçmas te sytë.
Alergologia Maria Zoto:
Në këtë periudhë, alergjitë janë përhapur ndjeshëm për shkak të shpërndarjes së polenit. Simptomat më të zakonshme përfshijnë teshtimat, bllokimin dhe rrjedhjen e hundëve, lotimin dhe skuqjen e syve.
Alergjitë mund të prekin të gjitha moshat dhe në disa raste shfaqen për herë të parë edhe pas të 50-ave. Simptomat shpesh ngatërrohen me ato të virozave, por ndryshe nga këto të fundit, alergjitë kanë prirje të përsëriten në të njëjtat kushte, si kontakti me pluhur, polen apo alergjenë të tjerë.
Ndryshe nga viroza, që zakonisht zgjat disa ditë deri në një javë, alergjia vjen dhe ikën, duke u përkeqësuar në praninë e faktorëve nxitës.
Në rastet më të rënda, alergjitë mund të prekin edhe rrugët e poshtme të frymëmarrjes, duke sjellë vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllima në bronke, që janë shenja të astmës alergjike.
Okulistja Matina Çobo:
Një nga gabimet më të shpeshta që bëjnë pacientët është kruarja e syve, e cila mund të çojë në pasoja serioze.
Tek personat që janë në moshë, marrin hollues gjaku apo kanë probleme të enëve të gjakut, kruarja e syve mund të shkaktojë hemorragji në sipërfaqen e jashtme të syrit.
Alergjia e syve ndodh kur alergjenët aktivizojnë qelizat e konjunktivës, cipës së jashtme të syrit.
Kjo çon në çlirimin e substancave inflamatore që shkaktojnë skuqje, lotim, ndjesi rëre në sy dhe sekrecione ujore (jo të verdha si në infeksione).
Edhe pse fërkimi i syve mund të sjellë një lehtësim të përkohshëm, ai përkeqëson inflamacionin dhe mund të dëmtojë syrin.



