Pa asnjë surprizë dhe me votat e mazhorancës, Bajram Begaj u zgjodh në raundin e katërt, Presidenti i ri i Republikës.
Nga 83 deputetë që morën pjesë në votim, 78 vota rezultuan pro Begajt, 4 kundër dhe një abstenim.
Raundi i katërt për votimin e Presidentit nisi në orën 18.00 të së shtunës për të përfunduar pak minuta pas orës 19.00, ku i pranishëm në sallën e seancave parlamentare ndodhej kandidati Bajram Begaj, i cili pas marrjes së besimit me votë, falenderoi me dorë në zemër.
Kryeministri Edi Rama u ul mes deputetëve në sallë, duke shmangur qëndrimin në pozicionin e tij të zakonshëm, mes anëtarëve të kabinetit qeverisës. Po ashtu ai pak momente pas zgjedhjes së kreut të shtetit shtrëngoi duart me të.
Pjesë e procesit të votimit u bë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ku zëvendëskryetari Petrit Vasili shihet në videon më poshtë duke hedhur fletën në kutinë e votimit.
Më herët kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, paralajmëroi votën kundër.
Në hyrje të sallës së Parlamentit,ku mazhoranca ka kandiduar gjeneralmajor Bajram Begaj, deputetët demokratë folën për proces farsë.
Deputetja demokrate, Grida Duma u shpreh se është kundër bojkotit.
Nuk mundet Partia Demokratike të bojkotojë parlamentin e zgjedhur nga populli.
Nga ana e tij deputeti Ervin Salianji, u shpreh se është për të ardhur keq që ka përfaqëesus të PD, që nga kapja ulen dhe krijojnë perceptime që PD merr pjesë në procese vetëm për pazare.
Rama si autokrat nuk do lëshonte asgjë, e nxori Presidentin nga zarfi. Presidenti i duhej lënë opozitës. Unë natyrisht nuk do të marrë pjesë në votim.
Ndërkohë Fatmir Mediu, deklaroi se grupi i tij parlamentar, Dashamir Shehi, Agron Duka dhe Vangjel Dule, nuk do të bëhen pjesë e votimit.
Deputeti Flamur Noka, deklaroi se “Ne jemi kundër farsës”.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se vota e LSI për Presidentin do të jetë kundër.
Nuk kam rezervë për asnjë kandidat por për diktaturën që po instalon në vend Edi Rama.
Në raundin e katërt, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që Presidenti, mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.
Profili i Bajram Begaj
Gjeneral Bajram Begaj do të jetë presidenti i tretë në historinë e pluralizimit politik që vjen nga radhët e ushtrisë. Me një karrierë 30 vjeçare në Forcat e Armatosura, shefi i Shtabit të Përgjithshëm është vlerësuar për kontributin e tij jo vetëm nga politika por dhe nga ndërkombëtarët.
Zgjedhja e tij nga shumica i parapriu një vizite në Pentagon, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë, mes të cilëve edhe kryetarin e përgjithshëm të SHBA-së, Gjeneral Mark A.Milley, ku në fokus ishte bashkëpunimi mes dy vendeve dhe forcave të armatosura, ku SHBA-të do të akordonin 17 milionë dollarë për të fuqizuar kapacitetet e ushtrisë dhe për të ndihmuar Shqipërinë në këshillimin e forcave të armatosura.
I lindur më 20 mars të vitit 1967, Begaj ka përfunduar doktoraturën në fushën e mjekësisë, për të shërbyer më tej si komandant i komandës së trajnimit dhe doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.
Më 3 korrik të vitit 2020, presidenti Ilir Meta do ti jepte gradën gjeneralmajor, për ti hapur rrugë pak ditë më vonë emërimit të tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, më 27 korrik të të njëjtit vit.
I propozuari i shumicës parlamentare vjen në vëmendje edhe si zgjedhje nga një fushë ku është tronditur nga skandalet. Prokuroria e posaçme antikorrupsion është duke kryer verifikime për disa zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, ndër ta edhe kandidati për president, Bajram Begaj.
Ai është kallëzuar nga ish zëvendëskomandati i forcës detare Artur Meçollari për shpërdorim detyre për tjetërsimin e bazave ushtarake të cilat ndodhen në bregdet. Megjithatë ky fakt duket se nuk e ka penguar mazhorancën socialiste dhe tashmë Bajram Begaj ka hequr dorë nga posti i shefit të përgjithshëm të forcave të armatosura dhe nga gradat gjeneralmajor për tu ulur në karrigen e kreut të shtetit, pas 24 korrikut.



