
Gazeta daneze, “Jyllands-Posten” e ka zemëruar jo pak Kinën me një karikaturë që e paraqet flamurin kinez me pesë koronaviruse në vend të yjeve. Karikatura që mban firmën e Niels Bo Bojesen, u botua dje dhe menjëherë ngjalli protesta nga ambasada e Pekinit në Kopenhagë. "Është një fyerje për Kinën dhe dëmton popullin kinez", shkruhet në faqen e internetit të selisë diplomatike kineze, sipas të cilës karikaturat "tejkalojnë kufirin e lirisë së shprehjes" dhe për këtë duhet kërkuar falje publike.
Përgjigja e gazetës ishte po aq e indinjuar. "Ne nuk mund të kërkojmë falje për diçka që nuk e konsiderojmë një ofendim," u përgjigj drejtori Jacob Nybroe. Kjo qasje mbështetet edhe nga kryeministri danez Mette Frederiksen, i cili thotë se në Danimarkë nuk vihet në diskutim liria e shprehjes.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, “Jyllands-Posten” provokoi zemërimin e botës myslimane për publikimin e dymbëdhjetë karikaturave të Muhamedit, ndër të cilat më i famshmja e paraqiste profetin e islamit me një bombë në kokë, në vend të çallmës. Autori i vizatimit, Kurt Westergaard, ka dalë në pension dhjetë vjet më parë dhe gjithmonë ka ritheksuar se nuk është penduar për karikaturën.



