
Gazetari Artan Hoxha në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për përplasjen në distancë mes kryeministrit Rama dhe ish ministrit Arben Ahmetaj, lidhur me aferën e inceneratorëve.
Hoxha deklaroi se ka një perceptim që Edi Rama e ka "lëshuar" Arben Ahmetajn, por se ky i fundit i dha një mesazh në një emision televiziv, duke deklaruar se ai nuk mund të ishte "strumbullari" i inceneratorëve, pasi nuk kishte një fuqi të tillë.
Sipas tij, ajo që po shihet nga e gjithë kjo ngjarje është se hetimi nuk po shkon më lart se zoti Koka dhe zoti Bllako.
Deri tani është pritur me kërshëri që të dëshmojnë personalitete të nivelit të lartë për inceneratorët. Ahmetaj nuk është thirrur ende. Është thirrur Shkëlqim Cani. Kemi dëgjuar akuzat ndaj zotit Ahmetaj, kanë qenë akuza të bëra kryesisht në media. Kryeministri tha “ata që kanë ngrënë dardha pas kurrizit tim”.
Zoti Ahmetaj dha përgjigje, që kryeministri të mos marrë rolin e gjykatës dhe e dyta, tha nuk kisha fuqi të bëja 17 vendime në një ditë. A mundjen një person i vetëm ta bënte këtë? Por, Ahmetaj ka dalë herët nga loja e inceneratorëve. Deri ku është përfshirë, është çështje hetimi. Por nuk po shohim që hetimi të shkojë më lart se zoti Koka dhe zoti Bllako. A e ka lëshuar Rama, Arben Ahmetajn? Përshtypja është që po, por Arben Ahmetaj na tha troç, në këtë histori nuk jam unë strumbullari.



