Pas arritjes së konsensusit të mes palënve për miratimin e Reformës në Drejtësi, tashmë duhet të kalojnë edhe 7 ligjet e kësaj reform në mënyre që kjo reformë e miratuar më 21 korrik të implementohet menjëherë dhe të japë frytet e para. Këtë ide ka shpërndarë në një postim në rrjetin e tij social Facebook, kryeministri Rama, ku ka shtuar se tashmë parlamenti do të vazhdojë me votimin e ligjeve.
Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota, shkruan Rama në Facebook. Mdërsa shton se ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut.
Në postimin e tij, kryeministri thotë se: Votimi i 21 korrikut i ka hapur rrugë një reforme shembullore në drejtësi dhe vetingu me mbështetje ndërkombëtare i të gjithë gjykatësve e prokurorëve, i cili do të nisë si një operacion rrënjësor pastrimi nga maja e piramides së korruptuar të gjyqësorit, i ka bërë të marrin frymë lirisht investitorët e mëdhenj.



