Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, ka thënë se Kosovës i duhet dialogu dhe i duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Lajçak në një postim në Twitter ka treguar për takimin që pati sot me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. “Pata një bisedë shumë të mirë dhe të thellë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. U pajtuam se Kosovës i duhet dialogu dhe i duhet një marrëveshje gjithpërfshirëse”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Nga ana e tij Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me Emisarin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar se me të kanë biseduar rreth arritjes së marrëveshjes reciproke me Serbinë.
“Mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë ka qenë korrekt, konstruktiv dhe bisedë e hapur e miqësore në drejtimin e gjetjes së mundësive për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë që do të nënkuptonte njohje reciproke dhe mundësinë që Kosova të anëtarësohet në OKB”, tha Thaçi.
Thaçi tutje ka bërë thirrje te BE-ja që të lëvizë më shpejtë rreth liberalizimit të vizave.
“E ardhmja e vetme e Kosovës është që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, dhe në këtë drejtim BE-ja duhet të lëvizë shpejtë drejt liberalizimit të vizave sepse po ndodh padrejtësi dhe ndëshkim. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Besoj se ka ardhur momenti që nga Bashkimi Evropian, të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohjes reciproke, sepse duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes. Dua të besoj se vetëm njohja reciproke mund të jetë mundësia e vetme që garanton stabilitetin në rajon dhe miqësinë mes dy shteteve tona dhe garanton paqe. Edhe takimi që kam zhvilluar në Bruksel me Lajçakun kemi pasur temat e njëjta. Edhe në Washington poashtu. Shoh koordinim edhe të BE-së dhe SHBA-së. Është mesazh i mirë dhe inkurajues që të jemi unik e të bashkuar përballë Serbisë, kjo do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik”, tha më tej presidenti Thaçi.
Pas takimit me presidentin e vendit, emisari i BE-së Miroslav Lajçak, do të takohet edhe me liderët e partive politike në vend.
Kjo vizitë vjen në kohën kur tema e Asociacionit të Komunave Serbe ka bllokuar dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ku kjo e fundit insiston që të diskutohet kjo temë ndërkohë Kosova vazhdon të refuzojë hapjen e saj.



