
Parler, platforma sociale ku u zhvendos sidomos ekstremi i djathtë amerikan, ka shkarkuar CEO-n e saj, John Matze. Matze e konfirmoi shkarkimin e tij në një mesazh për “Reuters”.
"Më 29 janar 2021, bordi i drejtorëve të Parler i kontrolluar nga Rebekah Mercer vendosi t’i japë fund detyrës time si CEO i Parler. Unë nuk mora pjesë në këtë vendim", tha Matze.
Vetë kompania nuk është përgjigjur në lidhje me këtë vendim.
Parler, i themeluar në vitin 2018, pretendon se është një hapësirë virtuale e fjalës së lirë.
Rrjeti social njohu rritje të shpejtë pasi përdoruesit konservatorë dhe ata të ekstremit të djathtë, të irrituar nga kufizimet e vendosura nga Twitter dhe Facebook, u zhvendosën në të.
Sidoqoftë, rrjeti social po përballet me një të ardhme të pasigurt pasi doli offline pas sulmit të 6 janarit në Capitol. Uebfaqja e saj më pas u braktis nga departamenti i Amazon hosting për cloud, ndërsa Google dhe Apple e kanë pezulluar Parler nga dyqanet e aplikacioneve.
Që atëherë Parler është kthyer pjesërisht në internet me ndihmën e një kompanie teknologjike në pronësi të Rusisë.



