Ditët e fundit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetik njoftoi identifikimin dhe mbylljen e tre platformave që shërbenin për të mashtruar qytetarët përmes premtimeve për fitime të mëdha dhe të shpejta. Në studion e MCN Informacion, eksperti i sigurisë, Faik Basha, tha se është përgjegjësi e institucioneve që të të paralajmërojnë qytetarët që të mos bien pre e tyre.
Basha shtoi se platforma të tilla janë të vështira për t’u mbyllur, ndaj ndërgjegjësimi i qytetarëve për rrezikun e tyre është i domosdoshëm.
Në shumicën e rasteve këto aplikacione bëhen jashtë vendit. Ai që e ndërton e ka studiuar mirë legjislacionin. Prandaj duhen informuar njerëzit. Institucionet i kanë mekanizmat për ta frenuar, por nuk është 100% e sigurt që mund të ndalohet plotësisht.
Qytetarët shqiptarë kur u mbyllën lojërat e fatit u mbyllën dhe u hapën ato online, pati shumë që e kanë aplikuar dhe kanë rrezikuar. Në momentin që ishte e regjistruar dhe kishe ndonjë problem me kompaninë që kishe fituar, atëherë mund të ankoheshe dhe shkoje e merrje atë që të takonte. Por nëse ti në këto lojërat online që bën, nuk ke ku ti marrësh paratë e tua, atëherë...
Askush nuk duhet të nxitet për të fituar para pa punuar. Duhet të punosh. Ka mënyra për të fituar para nga shtëpia nga interneti. Unë kam një mik inxhinier që lidhet me kompani ndërkombëtare, për të cilat bën projekte. Duhet të punosh. Si mund të fusësh 200 euro dhe të marrësh 400? Nga i merr?
Bota zhvillohet çdo ditë. Institucionet kanë vështirësi për t’u përshtatur me zhvillimet. Ka disa gjëra që lidhen me gjurmimin, bllokimin dhe kapjen e këtyre aplikacioneve. Ata e ndërtojnë kompaninë në një vend dhe e zhvillojnë biznesin në një vend tjetër. P.sh. le të marrim rastin e TikTokut dhe marrëdhëniet e SHBA me Kinën. Edhe në Shqipëri nuk u mbyll dot. Ndërkohë që ti ke bërë gjithë këto hapa, do informosh qytetarët. T’i paralajmërosh të tërheqin paratë e tyre.
Këto platforma janë të vendosura kryesisht larg Shqipërisë është e vështirë, ndaj sado të pengohen nuk frenohen 100%. Metoda më e mirë është të mos investohen para në një vend ku nuk e ke idenë me kë po flet dhe çfarë po bën.



