Edhe pse jemi në mes të dimrit, me temperatura që shkojnë deri disa gradë nën zero, qytetarët duket se ende nuk janë përballur me gripin sezonal, ndryshe nga vitet e kaluara.
Mosha më e riskuar për t'u prekur nga gripi i zakonshëm janë të moshuarit, të cilët të pyetur nga MCN, thonë se nuk e kanë kaluar gripin, pasi edhe kujdesi nga Covid-19 siç shprehen ata, i ka bërë që të mbrohen më shumë.
Një tjetër kategori që këtë vit ka qenë më e mbrojtur nga virozat stinore, janë edhe fëmijët, të cilët në këtë periudhë mbushnin dyert e urgjencës së Pediatrisë, por sivjet ka ndodhur e kundërta.
Fenomenin e zhdukjes së gripit, e konfirmon për MCN TV edhe mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, për shkak të dominimit të Covid-19.
Sipas mjekut Alimehmeti, gjasat që gripi dhe virozat stinore të qëndrojnë të zhdukur muajt në vijim, janë maksimale.



