
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka nisur me përlotje ngjitjen e saj në podiumin e Kuvendit Kombëtar të PD. Teksa ajo ka dalë në podium për fjalën e saj e gjithë salla është ngritur në këmbë gjë që ka emocionuar Topallin e cila është shprehur se nuk e priste një gjest të tillë.
Më latë pa fjalë ju jam shumë mirënjohëse. Herën e fundit në Kuvend kam qenë pas zgjedhjeve të 2013. Ishim mësuar me fitim të zgjedhjeve dhe bënim ndryshimin. Kemi bërë edhe gabime por sot bimë dakord. Por në pushtet qeverisnim dhe në opozitë ishim të fortë dhe të vërtetë.
Më tej duke iu kthyer situatës në PD, ajo deklaroi se ishin mësuar të ishim pjesë e një partie që fitonte zgjedhjet dhe sa herë PD fitonte, ata ishim në gjendje të bënim ndryshime për mirë.
Nuk e mendonim se mund të korruptoheshe në opozitë, nuk vinim gjoba; nuk shisnim misionin e opozitarizmit! Nuk këmbenim me zarfe vendet e deputetëve, e nuk digjnim mandate. Ishim mësuar të bënim beteja për të vërtetat tona, pavarësisht sa mund të kushtonte. Besonim se kishim për detyre të ishim mbrojtësit e te drejtave e lirive të qytetareve, gardianë të interesit publik; të mbanim nën kontroll qeverinë; Ishim mësuar të mos tërhiqeshim as nga kërcënimet.
Ajo tha ndër të tjera se, “Fillimi ynë, i të gjithëve ne bashkë edhe atyre që nuk janë sot në këtë sallë, por me zemër e mendje janë po aq demokratë sa ditën e parë, është arsyeja pse jam këtu sot. Ku në fakt kam qenë gjithmonë, edhe pse me dhimbje e them, për disa e padëshiruar. Fillimi i rënies tonë, është dita kur filluan të rrëzohen vlerat mbi të cilat u ngrit kjo parti. Pas 2013 tatëpjeta e PD mori vrapin”.
Në fund ajo tha se është aty sot se beson se bashkë me ata në sallë dhe ata që nuk janë aty mund të ndryshojnë gjërat në parti.
Për të gjithë shqiptarët, që mbështetjen e tyre na duhet ende ta fitojmë, vërtet sot ndoshta nuk kemi arritur ende t’ju bindim për të na dhënë votën, por të paktën ju kemi dëgjuar heshtjen e ju kemi kuptuar mendimin. Na duhet ndihma juaj. Ne kemi vendosur të zgjedhim shpresën mbi frikën, kemi vendosur të bashkohemi në vend që të ndahemi.
“Vota e lirë u shkatërruan nga Rama-Basha”, Këlliçi: Kuvendi historik, sot konfirmohet opozita e re
Deputeti i PD-së Belind Këlliçi, kryetar i Komisionit të Rithemelimit deklaroi në nisje të Kuvendit Kombëtar se ky kuvend i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në një kuvend historik.
Ai tha se vijmë pas një procesi jo të lehtë, shumë kanë duruar demokratët për të hedhur poshtë atë përpjekje malinje në PD. Këlliçi theksoi se ne duhet të vendosim sot njëherë e përgjithmonë votën e lirë si themeli.
Jemi mbledhur sot këtu me një kuvend që i ka të gjitha shanset për t’u kthyer në një kuvend historik. Vijmë pas një procesi jo të lehtë, shumë kanë duruar demokratët për të hedhur poshtë atë përpjekje malinje në PD. Kam parë demokratët në këto muaj dhe në çdo qytet kam folur me ta, i janë nënshtruar shumë proceseve dhe i janë drejtuar disa herë kutive të votimit. Demokratët gjithnjë e më shumë e gjendën forcën e kurajën për të ecur përpara, për të dalë nga gjendja e kënetës ku ishin.
Më tej ai shtoi se çdo shqiptar e kuptoi fare mirë në këto 8 muaj se partinë nuk e bën as vula as godina, por vokacioni dhe idealet.
Ky Kuvend i ka të gjitha shanse të kthehet në një Kuvend historik. Nëse sot Shqipëria lëngon, nëse sundohet nga një klikë me në krye Edi Ramën, kjo ka ndodhur padyshim dhe për fajin tonë. Ne duhet të mbajmë përgjegjësitë përse e lejuam që ky realitet të ndodhë. Nuk do të kishte ndodhur nëse përballë do të kishte një opozitë të lirë, të pa kapur dhe të pa komanduar. Me një opozitë të vërtetë, Edi Rama nuk do të kishte pasur as dhe një shans.
Sipas tij rruga e ndryshimit nuk kalon nga qeveria, janë të njëjtët arrivistë, e njëjta bandë që fusin duart në votën e qytetarëve.
I vetmi ndryshim që kemi në dorë dhe do ta bëjmë vjen pas ndryshimit tonë. Nuk do të jemi kurrë një opozitë fasadë. Kjo rrugë do ta ndryshojë njëherë e mirë Shqipërinë. Ky moment nuk është aspak i largët. Ky moment është sot kur pas shumë debateve, jemi sërish këtu bashkë me dorën shtrirë për çdo demokrat. Kjo është opozita e re që konfirmohet sot në këtë sallë. Ne duhet të vendosim sot njëherë e përgjithmonë votën e lirë si themeli. Vota e lirë dhe merita dy vlera europiane të shkallmuara në këto 8 vite nga dy persona Edi Rama dhe Lulzim Basha. Ky Kuvend do të jetë një kapitull i ri.



