
Komisioni i Mbrojtjes Civile ka bërë me dije se vatra në vendin e quajtur Laku i Thive në Kukës është ende aktive.
Ndërkohë aktive është dhe vatra sipër Tunelit të Kalimashit, e cila dhe nuk është mundur të izolohet dhe të futet nën kontroll.
Ndërsa zjarri në Qafën e Kumbullës është duke shkuar në drejtim të fshatit Trull, në Surroj ndërsa zjarri i Majës Rrunës është duke shkuar në drejtim të fshatit Shemri.
Rreth 12 forca zjarrfikëse, 5 punonjës të pyjores dhe 20 forca nga komuniteti janë duke punuar për të vënë nën kontroll flakët.
Po ashtu, të angazhuara janë 18 forca ushtarake të DMR-së Kukës dhe një mjet zjarrfikës si dhe forca të emergjencës civile të Bashkisë Kukës dhe Shërbimit Zjarrfikës të kësaj bashkie. Pritet edhe ardhja e helikopterit.



